Shtohet edhe një tjetër shtet që konfirmon pjesmarrjen në Memorialin ndërkombëtar “Vllaznia 2012”. Ai është Mali i Zi i cili ka dërguar edhe konfirmimin përkatës për këtë pjesmarrje. Me të, ka shkuar në 9 numri i shteteve që duan të jenë në Shkodër në muajin e ardhshëm. Ndërkohë pritet edhe konfirmimi nga Franca apo dhe ndonjë shtet tjetër. Me Francën shkon në 10 numri dhe me shumë mundësi, ai do mbyllet këtu sepse mendohet që të mos ketë më shumë fonde në dispozicion për pritjen dhe akomodimin e tyre. Këtë konfirmim e ka bërë për gazetën online www.shkodrasport.com trajneri i ekipit të Vllaznisë dhe kryetari i grupit organizator të këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm, Zef Gjoni i cili thotë: “Presim edhe Francën që të bëjë konfirmimin përfundimtar për pjesmarrjen në Memorialin që organizojmë ne dhe me shumë mundësi, pas këtij shteti do mbyllim pritjen e konfirmimeve sepse nuk mund t’i përballojmë nga ana financiare. Ne ende nuk kemi siguruar paratë që duhen për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Ende presim konfirmimin nga ana e Bashkisë Shkodër ndërkohë që e kam thënë se ky aktivitet, me një mënyrë a një tjetër do bëhet. Duhet të jemi krenarë që Federata Europiane e boksit e ka futur këtë aktivitet në kalendarin e veprimtarive të saj zyrtare të vitit dhe ky është një vlerësim i madh por këtu tek ne, me sa duket nuk duan t’ia dinë. Por Memoriali do bëhet dhe këtë nuk duhet ta vërë në diskutim askush. Më vjen keq vetëm për faktin që duhet ta përgjysmojmë numrin e ekipeve pjesmarrëse, kjo është keqardhja e vetme që kam sepse shoh një interesim shumë të madh të shteteve që duan të marrin pjesë, por nuk kemi mundësi t’ua garantojmë pritjen”. Kësisoj, Italia, Kazakistani, Botsvana, Gambia, Guinea, Maroku, Irani, Ekuadori e Mali i Zi janë të sigurtë që do jenë pjesmarrë në Memorialin “Vllaznia 2012” që do zhvillohet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës nga datat 9-12 mars.

www.shkodrasport.com