Ledian Memushaj ka qenë protagonisti i fitores që nxori nga kriza Peskarën, duke e ndihmuar që të fitonte 2-1 përballë Askolit pas 3 humbjeve radhazi.
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare shënoi golin e fitores në minutën e 81-të të sfidës në mënyrë spektakolare, me një nga ato goditje që quhen “alla Del Piero” pasi i përkitnin repertorit të ish-sulmuesit të Juventusit dhe Italisë.
Pas një aksion të gjatë të Peskarës, kur rezultati ishte në barazim 1-1, Memushaj kalibroi mirë nga e majat një goditje me të djathtën nga cepi i zonës së rreptësisë, me topin që kaloi portierin dhe u ndal poshtë kryqëzimit në shtyllën e dytë.
Një gol i shkëlqyer i cili u përshëndet nga shokët e skuadrës të mesfushorit shqiptar, por edhe që solli tre pikë shumë të rëndësishme për ekipin e tij i cili në javët e fundit kishte rrëshqitur duke iu afruar zonës së rrezikshme në renditjen e Serisë B. /vipsport/