Akademia Vllaznia vazhdon të jetë në vëmendjen e shumë menaxherëve të ekipeve të huaja sepse elementet e dala prej saj, kanë rënë shpeshherë në sy për talentin e tyre. Pikërisht për këtë arsye, në ndeshjet e fundit të ekipeve U-17 dhe U-19 të Akademisë Vllaznia ndaj ekipeve respektive të Tiranës, në tribunën e fushës sportive “Reshit Rusi” kanë qenë të pranishëm tre italianë, nga të cilët njëri ishte menaxher I një kompanie të njohur ndërsa dy të tjerët, skautë të klubeve të ndryshme.

  Sipas Andrea D’Amico, në një prononcim për “Shkodra Sport” ai ka thënë se motivi I vizitës së tyre në Shkodër është vëzhgimi I disa elementeve cilësore të Akademisë Vllaznia dhe njëkohëisht forcimi I marëdhënieve me klubin shkodran. “Kemi ardhur për të parë elementë të ndryshëm që mund të na vlejnë në punën tonë. Kombëtarja shqiptare ka patur rezultate shumë të mira kohët e fundit dhe besoj se edhe në kampionatin kombëtar ka elementë që mund të vlejnë për ekipe të ndryshme të Europës në përgjithësi dhe konkretisht për ekipet italiane që ne përfaqësojmë. Mund të them se konstatuam disa elementë vërtetë cilësorë por padyshim që nuk mund të japim emra sepse ky është profesioni jonë dhe nuk mund të dalim jashtë tij. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me drejtorin sportiv të Vllaznisë, z. Eugent Zeka dhe mendoj se bashkëpunimi me këtë klub do të vazhdojë edhe në të ardhmen”- ka thënë D’amico. Ditën e djeshme, në median italiane është folur edhe për mundësinë e firmosjes së portierit Alen Sherri me ndonjë ekip Italian të Serisë A dhe rrugën e tij mund ta ndjekin edhe lojtarë të tjerë të Akademisë Vllaznia të cilët po vëzhgohen me kujdes nga menaxherë dhe skautë të ekipeve të ndryshme italiane.
© shkodrasport.com