E çuditshme por e vërtetë. Një nga menaxherët më të njohur në botën e futbollit, pikërisht izraeliti Pini Zahavi ka marrë “në patronazh” lojtarin e talentuar shkodran, 15 vjeçarin Samuel Rrasa. Ky i fundit ka më tepër se një vit që ka kaluar në futbollin italian teksa është vënë edhe në radarët e Juventusit megjithatë e ardhmja e tij duket e ndritur.Për më tepër që “e kanë kapur në dorë” menaxherë të tillë si Zahavi.
Kujtojmë se ky menaxher vetëm pak ditë më parë bëri realitet transfertën më të shtrenjtë në historinë e futbollit botëror, atë të Nejmar tek PSG. Dhe tashmë izraeliti bashkë me kompaninë e tij kanë pikasur edhe Rrasën. Ky i fundit në fakt ka patur menaxherë deri më tani një tjetër shumë të njohur, Robert Visan i cili ka në patronazh lojtarin e Napolit Diaëara e shumë të tjerë. Por rastësisht ditët e fundit, Zahavi ka mësuar për futbollistin e talentuar nga Shqipëria dhe i ka kërkuar kolegut të tij ta kenë në bashkëpronësi kartonin e tij. Dhe kështu ka ndodhur. Zahavi që përveç transfertës së Nejmar, është edhe menaxheri i Carlos Teves, Javier Mascherano e shumë futbollistë të tjerë, tashmë do të menaxhojë edhe një “xhevahir” nga Shqipëria. Vetë Samueli në një prononcim për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Më duket se po më hapen dyert drejt niveleve të larta në futboll. Të kesh menaxher Robert Visan dhe për më tepër, Pini Zahavin, një nga pesë më të mëdhenjtë në botën e futbollit, është një luks i madh. Besoj se asnjë shqiptar kudo që luan nëpër botë, nuk ka patur fatin të punojë me menaxherë të tillë. Tashmë është vetëm në dorën time të punoj fort dhe të tregoj vlerat e mia”. Rrasa vetëm pak kohë më parë ka mbushur 15 vjeç dhe pikërisht këta menaxherë duke parë aftësitë e tij, e kanë dërguar të luajë në Serinë D me ekipin San Marino ku do të qëndrojë vetëm një vit, të marrë eksperiencën e duhur dhe më pas, pritet të transferohet në një klub më të njohur. Dhe normalisht që kështu do të ndodhë. Të kesh menaxherë Zahavin e Visan patjetër që dyert i ke të hapura kudo.
© shkodrasport.com