Fitorja e “Topit të Artë” nga Lionel Mesi duket se nuk është kapërdirë ende në kampin e Kristiano Ronaldos, pasi persona pranë tij vazhdojnë të insistojnë se futbollistit i është bërë një padrejtësi.
Një prej tyre është edhe Zhorge Mendes, menaxheri i Ronaldos, i cili para mediave italiane konfirmoi bindjen që kishte se futbollistit nuk i ishte dhënë pasi nuk ishte më pjesë e Real Madrid.
“Kristiano Ronaldo është lojtari më i mirë i futbollit botëror, para tij Portugalia nuk kishte fituar asgjë, me Kristianon fitoi Europianin e Ligën e Kombeve. Ai është i tillë, ka transformuar futbollin botëror. Kur flitet për Portugalinë, flitet për një shtet të vogël i cili ka ndryshuar me të.
Edhe te Reali mbërriti në vitin 2009 përballë një Barcelone që ishte skuadra më e mirë e historisë dhe ndryshoi gjithçka, Mbërriti te Reali dhe në fund fitoi 5 Liga Kampionesh.
Është e pamundur të krahasosh ndokënd me Kristianon. Ai e meritonte të fitonte “Topin e Artë”, mendoj se nëse do të kishte qenë te Reali do ta kishte fituar. Mendoj se vitin tjetër me Portugalinë do të arrijë kuotën e të paktën 110 golave dhe do të fitojë “Topin e Artë”.
Çfarë mendova kur mësova se e kishte fituar Mesi? Për mua është padrejtësi. Por jeta është e tillë, ai është një kampion, e di se çfarë duhet bërë dhe pastaj të shohim në vitin 2020”, tha Mendes duke ndezur edhe një herë polemikën. /vipsport/