Drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratiçi, është takuar sot pasdite me menaxherin me origjinë shqiptare Fali Ramadani.

Ky i fundit, është kthyer në një prej emrave më të njohur në Europë falë zbulimit të talenteve në Ballkan dhe transferimeve që ka kryer.

Sot, ai u takua me Juentusin fillimisht për të diskutuar transferimin e mundshëm të Miralem Pjaniç. Ndonëse në Angli e përgënjeshtrojnë kategorikisht,

Pjaniç pëlqehet nga Mançester Siti dhe sipas mediave italiane, Ramadani ka dashur të mësojë se cilat janë kushtet e bardhezinjve për të mundësuar transferimin e futbollistit që ai përfaqëson.

Të njëjtat burime sqarojnë se Juventusi ka bërë të qartë se vlerëson të paktën 100 milion euro lojtarin dhe në vend që ta lërë të largohet, është gati t’i ofrojë rinovimin.

Ndërkohë, është folur edhe për një transferim të mundshëm të Gonzalo Higuain, duke pasur parasysh se Ramadani është kthyer kohët e fundit në këshilltarin e merkatos së Çelsit.

Argjentinasi u intereson londinezëve dhe Juventusi kërkon që të nisë bisedimet për një transferim të mundshëm të tij në Londër. /vipsport/