Merkato e verës pritet të sjellë një eksod masiv emrash cilësorë nga kampionati shqiptar. Që nga java e ardhshme, pasi të përfundojnë edhe ndeshjet e Superiores dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, parashikohet që shumë lojtarë të braktisin vendin tonë, për të provuar eksperienca jashtë.

Një nga destinacionet pritet të jetë Turqia, ku në Ligën e Dytë ka klube, që ndjekin me interes kampionatin tonë dhe kërkojnë këtu përforcime me kosto të ulët.Një nga këto klube është Menemenspor, i cili pasi ka zbuluar se në Shqipëri ka lojtarë, që bëjnë diferencën me kosto të ulët, si Selmani apo Domgjoni.

Ky klub është gati që të bastisë përsëri Superioren, duke piketuar shumë lojtarë të tjerë nga kampionati ynë. Nuk është rastësi që në mediat turke, janë të bindur se të gjitha lëvizjet e merkatos së verës do të jenë të bazuara në kampionatin shqiptar.

Sot, portali “Yeni Asir” bëri të ditur se klubi ka përfunduar kontratat e 7 lojtarëve, duke mos rinovuar me ta. I njëjti burim bën të ditur se klubi është vënë prej javësh në lëvizje për t’i zëvendësuar. “Shqipëria sidomos, do të jetë objektivi i merkatos të klubit të Izmirit”, thekson media në fjalë.

Edhe në muajt e kaluar emri i Menemenspor është lakuar shpesh për futbollistë të ndryshëm të Superiores që mund t’i bashkohen këtij klubi, i cili ka dërguar vazhdimisht skautët e tij për të ndjekur ndeshjet e kampionatit tonë. /vipsport/