Barazimi pa gola përballë Partizanit ishte një tjetër provë se shumë gjëra kanë ndryshuar te Vllaznia në gjysmën e dytë të këtij edicioni.
Mbrojtja është kthyer në pikën më të forte të shkodranëve. Pikërisht ai repart të cilin Ernest Gjoka e kritikonte shumë në momentin e emërimit dhe që në merkaton e janarit e ndryshoi plotësisht.
Ecuria e kuqebluve i ka dhënë të drejtë trajnerit. Vllaznia regjistron vetëm një humbje në shtatë javët e fundit të Kategorisë Superiore dhe ka pësuar vetëm një gol, atë në fund të muajit shkurt në Laç.
Mes të tjerave, tre fitore ku më e bujshme ishte ajo ndaj Flamurtarit pretendent dhe tre barazime në Gjirokastër e Kamzë dhe së fundmi në shtëpi me Partizanin.
Gjithçka e llogaritur me detaje, duke mos i lënë asgjë rastësisë. Përballë rivalëve të mëdhenj, trajneri Gjoka ka luajtur për të mos humbur dhe ashtu ka ndodhur.
Porta ka mbetur e paprekur dhe skuadra ka marrë pikë që në llogaritë e fundit të sezonit mund të rezultojnë vendimtare.
Një vlerë e shtuar ka qenë edhe portieri Alen Sherri. Talent që në Shkodër e kishin zbuluar prej kohësh, por që tani po shfaqet vendimtar, duke konfirmuar se e meriton të jetë numri 1 i portës kuqeblu.
Në tërësi, mentaliteti i futbollit italian është përdorur si masë e jashtëzakonshme në një situatë që edhe pse po vazhdon prej disa vitesh, nuk është e zakonshme për një klub si Vllaznia.
Për të realizuar objektivat, Ernest Gjoka i ka dhënë skuadrës fytyrën e tij, duke përsëritur atë që bënte një sezon më parë te Kukësi kampion.
Me bindjen se një ekip i fort dhe rezultatet pozitive vijnë nga mbrojtja solide, trajnerin e ka përforcuar këtë repart.
Një zgjedhje që pavarësisht se e shndërron ekipin në pragmatist dhe e largon nga loja e bukur, i jep rezultatet që i nevojiten për realizimin e objektivit për të qëndruar në elitë.
Në futboll fitohet edhe kështu. Madje, pavarësisht se shumica nuk e pëlqen, kjo është mënyra më efikase.