Laçi prej disa sezonesh është bërë skuadër që ka përcaktuar edhe fatet e kampionatit.

Sezonin e shkuar arriti që të futej në zonën e Europës nëpërmjet kampionatit, ndërkohë që shkoi në finalen e Kupës së Shqipërisë, ku humbi përballe Skënderbeut.

Megjithatë, tashmë në krye është Artan Mërgjyshi, i cili dëshiron t’i japë trofeun e parë sezonal kësaj skuadre.

Tekniku tiranas që ka drejtuar më parë Besën, Kastriotin, Dinamon, Korabin dhe Apoloninë në Superiore, di shumë mirë se si ta trajtojë një takim të tillë.

“Ka disa vite që Laçi jo vetëm është pjesë e Superiores, por është edhe faktor i saj. Kjo dhe kushtet në të cilat punohet këtu, isha shumë i nderuar që pata këtë ofertë.

Plus një pjesë të lojtarëve i njoh dhe kam punuar më parë më ta. E kam ditur filozofinë që është këtu, që bazohen këtu te djemtë e rinj që duan të promovohen”, tha fillimisht trajneri.

Më tej ai foli vetëm për takimin e së shtunës, ku e prenotoi trofeun: “Trofeu është në derë por duam ta luajmë 90 minuta, skuadra ka shumë ndryshime në krahasim me sezonin e kaluar, gjithashtu edhe kundërshtari, por janë 90 minuta në lojë, do ti bëjmë hyzmetin për të tentuar që të marrim maksimumin kësaj ndeshje.

Ky është shansi për të fituar një trofe që të gjithë e duan dhe mua më mungon si trajner. Kam humbur një finale kupe si trajner me Dinamon dhe shpresoj ta nisim mbare dhe të jetë një ogur i mirë jo vetëm për mua, por të gjithë dashamirësit e Laçit”.

Mërgjyshi zbuloi dhe objektivat sezonal, ku Europa është kryesore dhe padiskutim ndonjë trofe. “Si çdo gjë duhet të besosh, nuk mund të futesh në kampionat apo për trofe po nuk besove.

Këtë besim që kemi duhet t’ua përcjellim lojtarëve, me sa shoh unë grupi e ka këtë. Ky është një grup që lufton përpara çdo kundërshtari dhe ndaj erdhi kalimi i turit në Europë.

Asnjë nuk mund ta mendonte që kjo skuadër mund të kalonte Anorthosis. Por këta e bënë mrekullinë dhe e kaluan. Pse të mos ta bëjmë edhe këtë radhë dhe të nisim mbarë sezonin”.

Afrimet janë një tjetër çështje në Laç, por që Mërgjyshi i beson presidentit Laska për të bërë goditjet e duhura për repartet që kanë probleme.

“Është për të falënderuar presidentin sepse nuk të vendos në trysni pa sistemuar ekipin. Objektivat janë që të sistemojmë ekipin pasi ka pasur lëvizje nga edicioni i kaluar, po punojmë dhe pa pasur një ekip të përcaktuar nuk mund të flasim për objektiva.

Gjithsesi, të gjithë janë mësuar me një Laç të cili duan ta shohin lart. Ne do ta nisim nga këtu pastaj se ku do të shkojmë do ta shohim në vijim”. /EDS/