Serxho Ujka është zyrtarisht një futbollist i Egnatias. Prej muajsh klubi rrogozhinas kishte përgatitur këtë transferim, por hasi vështirësi nga Laçi që ende nuk e lëshoi kapitenin e saj për disa probleme në kontratë.

Tashmë saga ka marrë fund dhe mesfushori 27-vjeçar prezantohet nga presidenti Agim Demrozi i cili është përkujdesur personalisht për t’i siguruar firmën mesfushorit me më shumë pjesëmarrje në gol sezonin e fundit (5 gola, 10 asiste). Egnatia do të paguajë plot 100 mijë euro në arkat e kurbinasve, ndërsa Ujka firmos një kontratë 3-vjeçare.

Ditën e sotme media e shkruar raportoi për një ‘parakalim’ nga ana e Partizanit për Ujkën, por duket se alarmi ishte fals dhe kampionët firmosin me një lojtar me peshë të madhe në Superiore.

-NJOFTIMI I KLUBIT-

Klub Futboll Egnatia njofton se në “Bordin e avionit të kampionëve” ka firmosur një luftëtar i ri. Serxho Ujka ka firmosur për 3 sezone me klubin tonë. Ishte presidenti Agim Demrozi që plotësoi deri në fund të gjitha detajet e kësaj marrveshje me KF Laçin. Mirë se vjen Serxho Ujka!