Mund të quhet e përfunduar aventura e Geralb Smajlit te Vllaznia. Mbrojtësi i djathtë pritet të largohet nga klubi pasi bisedimet për rinovim nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Mbetet vetëm zyrtarizimi i klubit për të konfirmuar gjithçka një herë e mirë.
E ardhmja e 22-vjeçarit shkodran është ende e paqartë, pasi ofertat janë vërtetë të shumta. Klubet e Superiores nuk mungojnë në ‘dyert e tij’ dhe një ndër ta është Elbasani. Burime të sigurta pranë klubit verdheblu bëjnë me dije për Newsport se drejtuesit elbasanas janë në bisedime me lojtarin për të gjetur një marëveshje.
Megjithatë drejtuesit e klubit verdheblu duhet të kenë parasysh se duhet t’i paguajnë Vllaznisë edhe taksën e formimit si futbollist ngaqë ai është nën 23 vjeç dhe shuma është deri diku e konsiderueshme për kampionatin shqiptar.
Prioritet për Smajlin mbetet transferimi jashtë vendit, por në rast se diçka e tillë nuk realizohet, në Elbasan janë gati t’i dorëzojnë ‘çelësat’ e krahut të djathtë të mbrojtjes. Këtë sezon shënoi 1 gol, ndërsa ka dhuruar plot 8 asiste që flasin vetë në emër të Smajlit.