Emri i mesfushorit shkodran, Gilman Lika, i cili luan në kampionatin e Arabisë Saudite, është larguar shumë ditët e fundit të dhjetorit 2013-ës për një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar. Madje skuadra e Partizanit e bën fakt të kryer rikthimin e tij në Superligë, por kësaj here për të veshur fanellën e kuqe. Por burime të besueshme dhe tepër të sigurta të gazetës “Shkodra Sport”, pohojnë të kundërtën. Gjithnjë sipas të njëjta burimeve, thuhet se Lika mund të lërë kampionatin arab për t’u kthyer në Europë, por jo në Shqipëri.
Dhe për këtë nuk i kanë munguar ofertat. Gilman Lika kaloi në kampionatin e Arabisë Saudite gjatë merkatos së lojtarëve në verën e vitit të kaluar. Për një arsye apo për një tjetër, ndoshta edhe me synimin për t’u rikthyer përsëri në Kombëtare, shkodrani synon të rikthehet në Europë. Nga Shqipëria, mësohet se Partizani i ka ofruar një kontratë shumë të majme, ndoshta mund të jetë më e larta në kampionatin shqiptar, për nga ana financiare, gjë të cilën mësohet ta ketë bërë edhe Tirana. Por Gilmanin, edhe pse këto shifra e joshin, ai synon një tjetër kampionat të huaj, por kësaj radhe në Europë. Deri tani gjasat janë tepër të mëdha për një rikthim të tij në një prej kampionateve të huaja në kontinentin e vjetër. Ndoshta një transferim i tij nuk pritet kaq shpejt, por deri në fund të janarit mendohet të marrë një zgjidhje kjo çështje. Përtej ofertës së majme të Partizanit, Gilman Lika synon të vazhdojë karrierën jashtë vendin tonë. Së bashku me mesfushorin shkodran, në të njëjtën skuadër me të në Arabi, ndodhet edhe sulmuesi i njohur Migen Memelli. Edhe për të kanë mbërritur ofertat e para nga Shqipëria, ku janë të interesuara Tirana, Flamurtari dhe Partizani. Megjithatë, si G.Lika, ashtu edhe Memelli për momentin ndodhen nën kontratë me skuadrën arabe dhe ndoshta në bazë të ofertave, mund të zgjidhet edhe e ardhmja e tyre.
Mejdan ZHIVANI