Ky sezon do edhe tre muaj që të përfundojë, por që tani, shumë klube në kampionate të rëndësishme kanë bërë planet e tyre për të ardhmen dhe kanë piketuar futbollistët të cilët mendojnë të afrojnë në merkato.

Një prej emrave të njohur të Serisë A, Sampdoria, duket se ka përfshirë në listën e preferencave një lojtar i cili ëndërron që shumë shpejt të bëhet protagonist me fanellën kuzezi.

Mediat italiane kanë bërë të ditur se lista e skuadrës në fjalë për sezonin e ardhshëm, përfshin tashmë edhe emrin e Nedim Bajramit.

Mesfushori ofensiv, i cili pret pasaportën shqiptare në mënyrë që të veshë fanellën kuqezi pasi braktisi Zvicrën, pëlqehet nga Klaudio Ranieri dhe stafi teknik i Sampdorias, i cili po ndjek me shumë interes aktivizimin e tij te Empoli.

Mesfushori ka lënë përshtypje shumë të mira dhe nuk është aspak rastësi që trajneri Edi Reja insistoi për afrimin e tij te Shqipëria. Ndaj edhe Sampdoria e ka vënë në listën e prioriteteve për verën e ardhshme, që do të thotë se lojtari mund të luajë në Serinë A edhe nëse nuk arrin që të sigurojë ngjitjen me klubin e tij aktual i cili luan në Serinë B, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm para në karrierë. /vipsport/