Partizani ka pasur një verë të vështirë në këtë aspekt, pasi i është dashur të heqë dorë nga një numër i madh lojtarësh kryesorë.

Nga ana tjetër drejtuesit kanë punuar me afrimet, që duhet thënë se kanë qenë të një kostoje relativisht të ulët, pa bërë blerje apo afruar lojtarë me emër të madh në arenat tona.

Para pak ditësh gazeta njoftoi se klubi i kuq është në negociata me Meritan Shabanin, i cili ka dalë nga akademia e Bajernit të Mynihut dhe ka luajtur me disa ekipe të tjera të njohura. Pavarësisht përpjekjeve, mësohet se nuk është gjetur gjuha e përbashkët dhe ky operacion mund të quhet i mbyllur pa sukses.

Të kuqtë synuan ta merrnin me një kosto të ulët, por për 25-vjeçarin ka interes thuajse nga e gjithë Superiorja. Nga ana tjetër, të kuqtë kanë punuar me afrimet në tregun afrikan, ku kanë ardhur tre lojtarë nga Senegali, të cilët ende nuk janë federuar. Mateo Shanaj i Apolonisë pritet në ditët në vijim.

Mesfushori vjen për të mbuluar rolin e Maget. Ky operacion pritet të zhvillohet me mënyrën e blerjes, me fierakët, që pritet të ruajnë një masë prej afro 15% të vlerës së kartonit. Në ditët në vijim mund të ketë afrime të tjera, por pa shifra të mëdha.