Merkato patjetër që është krye tema e futbollit në këtë periudhë vere. Pavarësisht se po luhet një nga eventet më të mëdha të futbollit, Euro 2024, ka edhe lëvizje në hyrjet e daljet e futbollistëve. Një emër i cili duket se do gjejë skuadër të re këtë sezon është edhe Uheid Hoxha.

Mesfushori shkodran e mbylli gjysmën e dytë të sezonit tek Burreli. Ku duket se nuk do e vijojë bashkëpunimin me matjanët pavarësisht se në stol ka ardhur tashmë Ditmar Bicaj. Po ashtu fantazisti e ka mbyllur edhe në Kosovë bashkëpunimin me Phoenix, skuadër me të cilën u aktivizua në gjysmën e parë të sezonit 2023-24.

Nga ajo çfarë mësohet rreth së ardhmes të 23-vjeçarit është se së fundmi ka një pistë konkrete. Ai është ekipi i Flamurtarit në Kategorinë e Parë, ku vlonjatët kanë ambicie për ngjitjen në Superiore sezonin që vjen. Bregdetarët shohin tek Hoxha një element cilësorë dhe që mund t’i ndihmojë shumë në edicionin e ri.

Dhe prandaj duket se interesi është konkret dhe serioz. Në Vlorë në sezonet e fundit kanë gjetur “strehë” shumë futbollistë shkodranë si: Gocaj, Vucaj, Ramadani, P.Pjeshka, D.Pjeshka apo para shumë vitesh edhe Gilman Lika. Tashmë ndoshta Hoxha do jetë shkodrani i rradhës që do i bashkohet kuqezinjve.
Endri ÇINARI