Serxho Ujka prej 2 sezonesh është kthyer në një nga futbollistët më të mirë të Superiores. Mesfushori i Laçit ishte padyshim një nga protagonistët absolut sezonin e fundit duke u bërë mesfushori me më shumë pjesëmarrje në gola me 5 gola e 10 asiste.

Në këtë merkato vere ai është kthyer në një çështje në klubin kurbinas teksa ka shprehur haptas dëshirën për largim. Bardhezinjtë e kanë nën kontratë edhe për një sezon ndaj kërkojnë para për largimin e tij.

Prej muajsh Egnatia është prapa ‘kuintave’ duke e pritur të afrohet me parametra zero, por pritja e gjatë u vjen për së ‘prapthi’ rrogozhinasve. Partizani ka befasuar të gjithë duke u futur në garë në momentin e fundit teksa duhet edhe 1 ditë nga mbyllja e merkatos.

Klubi i kuq ka nisur bisedimet e avancuara me 26-vjeçarin dhe së shpejti pritet firma për ta prezantuar në kryeqytet, sipas medias së shkruar. Ajo që e afron Partizanin më shumë në këtë transferim është se klubi i kuq është i gatshëm të paguaj 100 mijë euro për kartonin e tij. Ujka shihet si goditja e madhe e ‘Demave’ që do të zëvendësojë të larguarin Maguette./newsport/