Në “Elbasan Arena”. Një ndeshje, që në kampin verdheblu e kanë vlerësuar maksimalisht dhe që duan të dalin patjetër me tri pikë, ndonëse e kanë të qartë që përpara kanë një 90- minutësh të vështirë.

Të paktën, kështu shprehet në daljen e tij para mediave tekniku i verdhebluve, që duket optimist përpara kësaj sfide. Gvozdenoviç thekson se Elbasani është gati, ndërsa mund të mbështetet edhe te dy afrimet e reja të merkatos. Sa i përket transferimeve, serbi shpreson që deri në mbyllje, të afrohet edhe një sulmues krahu.

Si paraqitet gjendja e skuadrës para ndeshjes me Teutën?

Deri më tani jemi të gjithë gati dhe jemi përgatitur mirë, përveç Lajthisë. Kemi edhe stërvitjen e fundit dhe bashkë me stafin do të vendosim për formacionin. Situata është pozitive për ne.

Teuta është një rival direkt, çfarë synoni?

Teuta është një rival shumë i fortë, pasi edhe me pikë jemi afër. Ndaj do të jetë një ndeshje shumë e fortë për ne, por mendoj vetëm për pikët. Do të bëjmë të gjithë maksimumin në fushë dhe të shohim sesi do të dalim.

Prezantimi juaj i parë si trajner në shtëpi, shpresoni ta nisni ashtu siç duhet?

Patjetër, unë jam gjithnjë optimist. E thashë që jemi gati, por më e mira është të flasim në fushën e lojës. Do të presim deri sa të luhet, por e rëndësishme është që ne jemi gati.

A janë gati për këtë ndeshje dy afrimet e reja?

Po, po. Të dy janë gati dhe do t’i kemi në pankinë. Më pas do të shohim nëse do t’i aktivizojmë ose jo.

Ku shpresoni të përforcoheni ende në merkato?

Transferimet janë ende të hapura deri në fund të janarit. Ndoshta kemi nevojë edhe për një sulmues krahu, por do të presim pak. Shpresoj që mund të firmosim minimumi edhe me një lojtar tjetër.