
-Fondet në dispozion. Sipas asaj që është miratuar në Këshillin Bashkiak Shkodër në fundin e muajit korrik, në projek- buxhetin e sezonit të ri I cili përfshinte një shumë totale prej 970 milionë lekësh, nuk ka patur asgjë të përfshirë si zë për merkaton e janarit. Përveç kësaj, në kushtet kur Bashkia Shkodër ka reduktuar fondet për shumësportëshin gjatë kësaj periudhe, sigurisht që nuk mund të presësh ndonjë “hapje thesi” në janar. Këtë e ka bërë të ditur edhe një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak Shkodër, Nikë Kodra që do të shprehej: “Nga sa kam informacion unë, për merkaton e janarit nuk është vënë asnjë fond shtesë nga ana e Bashkisë. E vetmja rrugë për të marrë ndonjë lojtar në janar, është të largohet ndonjë nga këto që kanë ardhur në verë dhe që po rezultojnë jo efikas. Nëse atyre u bëhet vend në ndonjë ekip tjetër, me paratë e kontratave të tyre mund të tentohet pastaj marrja e ndonjë futbollisti tjetër”. Në fakt, edhe në rradhët e drejtuesve të klubit ka qarkulluar kohët e fundit një ide e tillë. Që duke kursyer nga largimi I 2-3 futbollistëve, mund të merret një sulmues cilësor në merkaton e janarit.
Kërkesa për trajnerin. Megjithatë, pavarësisht dyshimeve nëse ka apo jo fonde në dispozicion për merkaton e janarit, drejtues të klubit Vllaznia, pikërisht kryetari I Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Ritvan Troshani, I ka kërkuar trajnerit Shpëtim Duro të analizojë çdo lojtar për paraqitjen e deritanishme dhe njëkohësisht propozime konkrete për përforcimet e mundshme në merkaton që do hapet pas pak më tepër se dy muajsh. Një kërkesë e tillë do të thotë se mund të ketë mundësi për të bërë një lëvizje por gjërat me shumë gjasa do vendosen nga mënyra si do shkojë ecuria e skuadrës deri në fund të dhjetorit. Nëse ajo është në vendet e para të renditjes, sigurisht që mund të bëhet edhe ndonjë sforco e fundit financiare, në rast të kundërt duhet harruar marrja e ndonjë lojtari tjetër.
Gjergj KOLA