Opinion nga Mejdan ZHIVANI

Drejtuesit e këtyre ekipeve e kanë kuptuar se, nëse duan të ngjiten në Superligë, duhen afruar lojtarë të tillë. Pra, kjo përbën një risi, ku futbollistët e superiores pranojnë ofertat edhe të një kategorie më poshtë. Afrime të tilla, si Dabulla, Gjyla, Devolli, Ishka, apo edhe ndonjë tjetër, e zbukurojnë kampionatin e Kategorisë së Parë dhe e bëjnë më interesant.
Por një dukuri tjetër që është vënë re te skuadrat e Kategorisë së Parë në këtë periudhë merkatoje se çdo ekip kërkon të përforcohet, madje thuajse çdo skuadër i ka hedhur sytë nga jashtë. Pjesa më e madhe e skuadrave të kësaj kategorie kanë hyrë në bisedime me futbollistë nga Ballkani, apo Afrika, duke shënuar kështu një dukuri të re për kategorinë inferiore. Nëse në sezonet e kaluara, afrimet nga tregu i huaj në janar ishin me “pikatore” në Kategorinë e Parë, tani po ndodh e kundërta.
Ashtu si mjaft skuadra të Superligës, edhe ato të Kategorisë së Parë po heqin dorë nga tregu vendas, apo nga lojtarët e ekipeve zinxhirë dhe po u besohet më shumë futbollistëve të ardhur nga jashtë, edhe pse niveli i tyre në shumë raste lë për trë dëshiruar. Drejtuesit e klubeve të Kategorisë së Parë mendojnë se me afrimin e sa më shumë futbollistëve, realizimi i synimeve të tyre, sidomos të një pjesë për t’u ngjitur në Superligë, bëhet më i prekshëm dhe mund të jetë më i lehtë.
Por në fakt, gjithnjë duke iu referuar prurjeve të deritanishme, kjo strategji rezulton të jetë e gabuar. Gjithsesi, duhet pritur fundi i sezonit për të parë nëse shpenzimet dhe investimet e bëra për lojtarë të huaj, sa e kanë justifikuar një gjë të tillë. Madje, shpenzime kanë bërë edhe skuadra që nuk kanë pretendime për t’u ngjitur një kategori më lart, duke marrë mjaft futbollistë të huaj.
Vlen për t’u marrë shembull Ada e Velipojës, e cila në çdo sezon, është mjaftuar vetëm me “brumin e shtëpisë”, duke u bazuar te lojtarët e ekipeve zinxhirë, por edhe afrimet e tjera në formë huazimi nga Vllaznia. Në fund të çdo sezoni, që nga viti 2006, kur Ada u ngjit për herë të parë në Kategorinë e Parë, velipojakët janë renditur në mesin “e artë”.
Nëse shpresohej, që të paktën skuadrat e Kategorisë së Parë do t’i hidhnin sytë më shumë nga tregu vendas, e kryesisht nga lojtarë të perspektivës, në këtë merkato janari, po ndodhë e kundërta. Duket se futbolli shqiptar është “hipnotizuar” pa arsye nga tregu i futbollistëve të huaj, ku pjesa më e madhe, vijnë e ikin pa lënë gjurmë.