Të gjitha skuadrat e Superligës kanë filluar të bëjnë plane për merkaton e janarit por vetëm Vllaznia jo. Skuadra shkodrane për momentin e ka mendjen tek “përforcimi” me president. Puna për ta bërë këtë, ka sfumuar gjithçka tjetër. Duke qenë kështu, edhe për disa ditë, nuk pritet asnjë zhvillim sa I takon lëvizjes së lojtarëve. Ndonjë emër që është përfolur deri tani, duket se ka qenë thjesht ndonjë dëshirë e trajnerit dhe vetëm kaq. Mundësitë për të bërë merkato ende nuk janë krijuar. Do jetë presidenti I ri I Vllaznisë ai që do vendosë për gjithçka, sa lekë do hedhë për merkaton, kush do largohet dhe kush do ofrohet.

Gilman Lika. Po flitet shumë gjatë këtyre ditëve për mesfushorin shkodran Gilman Lika. Atij I përfundon kontrata pas dy ditësh me Tiranën dhe në këtë mënyrë është një futbollist I lirë. Duke shfrytëzuar këtë fakt, drejtues të klubit Vllaznia e kanë bërë publike dëshirën e tyre për ta marrë këtë lojtar. Edhe trajneri Duro e ka futur në listën e lojtarëve që kërkon si përforcim në merkaton e janarit. Me siguri që do ta kërkonte edhe Bushati nëse do jetë ai trajneri I ardhshëm I kësaj skuadre. Por Lika ka një kosto të lartë financiare dhe pretendimet e tij vështirë se binden këtë herë nga oferta e Vllaznisë. Drejtuesit e saj në fakt, nisur edhe nga kjo gjë, nuk I kanë bërë asnjë ofertë konkrete por thjesht kanë shprehur interesimin për të. Mesfushori 25 vjeçar ndodhet me pushime këto ditë në Shkodër dhe kafen e pi çdo ditë në një lokal që ndodhet vetëm pak metra larg Bashkisë, institucionit që drejton Vllazninë aktualisht. Krerët e këtij institucioni në fakt nuk e kanë shumë mendjen tek merkatoja. Ata po bëjnë “merkato” me presidentin dhe në këtë logjikë, gjërat nuk kanë marrë deri më tani asnjë rrugë-zgjidhje sa I takon lëvizjeve të lojtarëve.
Afrikani Baio. Nëse qëndron trajneri aktual Shpëtim Duro, ai përveç Gilman Likës, ka në plan të bëjë edhe një kërkesë tjetër për drejtuesit e klubit. Pikërisht marrjen e sulmuesit nga Guinea Baio. Ky I fundit është provuar tek skuadra e Kukësit në ditët e fundit të dhjetorit dhe ka rënë në sy për paraqitjen e tij. Duro ka qenë present në miqësoren që Kukësi zhvilloi me Partizanin dhe në këtë ndeshje sulmuesi afrikan shënoi një gol. Menjëherë pas miqësores, trajneri aktual  në një rreth miqësor është shprehur se do ta dëshironte ta kishte këtë sulmues tek Vllaznia. Në fakt, Kukësi e ka “prenotuar” pavarësisht se ende nuk ka firmosur me të. 29 vjeçari që ka luajtur në Ligën e dytë portugeze, shquhet për nuhatjen e portës, pikërisht kjo një nga dobësitë më të mëdha të sulmit shkodran në fazën e parë. Baio mund të zëvendësonte kësisoj Hysën që thuajse është I larguar nga Vllaznia por gjasat janë që kjo lëvizje të mos realizohet sepse derisa drejtuesit shkodranë të vendosin se çfarë do bëjnë, lojtari do jetë sistemuar në ndonjë skuadër.
Artan Bushati. Planet pritet të bëhen ndryshe nëse emërohet ai në krye të skuadrës emërohet Artan Bushati. Ai do ketë pëlqimet e tij. Do ketë dëshirat e tij dhe kuptohet që të gjitha këto do bëhen pas bisedimeve me presidentin për të parë mundësitë financiare dhe se cilët lojtarë mund të ofrohen.Me shumë mundësi, Bushati nuk do  të jetë për lëvizje të mëdha në skuadër. thjesht ndonjë “meremetim” I saj. Kryesisht në mesfushë dhe sulm por edhe kjo duhet parë. Vllaznia për momentin është në “pit- stop”, gati për t’u nisur, me shpresën se “skuderia” të mos vonojë shumë në “ndërrimin e presidencës”.
Gjergj KOLA