Shkodranët pritej të bënin një lëvizje të fundit por në fakt kanë bërë dy të tilla sonte. Kroati Gordan Vuk dhe shkodrani Ervis Kraja kanë firmosur për Vllazninë dhe tashmë do jenë pjesë e saj për gjysmën e dytë të sezonit. Për rrjedhojë, drejtuesit e klubit i kanë futur në listën e federimit dhe ata tashmë do jenë në dispozicion të trajnerit Vata. Për kroatin Vuk lëvizja ndoshta ishte e pritshme ngaqë ai ka kohë që është në bisedime me Vllazninë dhe prandaj sot pasdite gjërat u konkretizuan edhe ngaqë nuk u bë e mundur marrja e brazilianit Da Silva. Vuk ka mbërritur në Shkodër në mesditë dhe në orët e para të mbrëmjes ka firmosur kontratën e tij me Vllazninë. Një kontratë që do jetë deri në fund të këtij sezoni me të drejtë rinovimi nga ana e klubit shkodran edhe për një sezon tjetër nëse ai dëshiron të ketë sërish shërbimet e këtij lojtari. Vuk luan mbrojtës, edhe në qendër por edhe në krahun e majtë dhe pritet të jetë i rëndësishëm për planet e trajnerit. Por nëse kroati pritej, suprizë ka qenë ardhja e mbrojtësit shkodran Ervis Kraja. Ai në fakt kishte kohë që kishte shprehur dëshirën e tij për t’u rikthyer tek Vllaznia. Ka qenë trajneri Vata që ka dhënë “Ok”-in për ardhjen e tij dhe drejtuesit e klubit ia kanë plotësuar kërkesën duke e federuar atë. Në këtë mënyrë nëse deri dje, mbrojtja ishte problem tek Vllaznia, tashmë nuk mund të thuash kështu sepse vetëm mbrojtës qendre janë pesë në skuadër: Sykaj, Belisha, Petroviç, Vuk dhe Kraja. Me këto dy emrat e fundit të merkatos së janarit duke e çuar në 5 numrin e ardhjes bashkë me Brnoviç, Jallban dhe Morenon.

www.shkodrasport.com