Ka marrë fund dilema e Realit të Madridit për të gjetur pasuesin e Zinedine Zidanes, i cili dha dorëheqjen pak ditë pas triumfit për herë të tretë radhazi në Champions League.

Presidenti Florentino Perez ka arritur akordin me trajnerin e kombëtares spanjolle, Julen Lopetegui, i cili do të ulet në stolin madrilen menjëherë pas përfundimit të kampionatit botëror “Rusi 2018”.

51-vjeçari ka drejtuar të gjitha skuadrat e moshave të kombëtares spanjolle, ndërsa ka qenë trajner edhe i Real Madrid B, në sezonin 2008-2009.

Kulmi i karrierës së tij si trajner klubesh ishte drejtimi i Portos në sezonet 2014-2016, ndërsa më pas u ul në stolin e “Furia Roja”-s. Julen Lopetegui ka firmosu një kontratë 3-vjeçare me Realin e Madridit, duke pranuar të drejtojë skuadrën deri në vitin 2021.

Më herët Perez pati kontaktuar edhe trajnerë si Conte, Allegri, Pocchettino, etj, të cilët refuzuan të ulen në stolin e kampionëve në fuqi të Europës.