Mesfushori francez i Juventusit, Pol Pogba do të rikthehet në fushën e lojës më herët nga sa e kishte parashikuar edhe ai vetë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës ka vendosur të reduktojë dënimin e mesfushorit në 18 muaj. Kjo do të thotë se ai do të rizbresë në fushë që në mars të vitit 2025.
Gjatë këtyre orëve Juventusi po punon për zgjidhjen e kontratës së francezit dhe nuk i dihet nëse ai do të jetë pjesë e bardhezinjve apo i një klubi tjetër. Drejtori teknik i Juventusit, Kristiano Xhuntoli, është shprehur para ndeshjes kundër Kaljarit: “Pogba ishte një futbollist i madh, por ka kohë që është jashtë fushës. Do të shohim se ccfarë do të ndodh me të”, përfundoi ai
Mesfushori i “Zonjës së Vjetër” ishte dënuar përfundimisht më 29 shkurt me 4 vite pezullim nga futbolli (por dënimi konsiderohet që nga shtatori). Ai rezultoi pozitiv në testin antidoping dhe kjo gjë detyroi Gjykatën Kombëtare të Antidopingut që të marrë vendimin drastik për francezin. Megjithatë, Pogba vendosi që ta kalojë në shkallë të tjera këtë çështje dhe besimi i tij u shpërblye.
Tashmë në moshën 31- vjeçare, Pogba ka shansin të rikthehet edhe njëherë në fushën e lojës, për të treguar se ai ende nuk është dorëzuar. Kujtojmë që Pogba ka një kontratë me “Zonjën” deri në qershorin e vitit 2026.