Më në fund Lokateli! Manuel është futbollisti më i ri i Juventusit, pasi ditën e djeshme është gjetur akordi mes palëve, duke i dhënë fund kështu një telenovelë merkatoje që zgjati më shumë sesa ishte menduar.

Gjithsesi, në fund durimi i futbollistit kampion Europe me Italinë dhe autori i dy golave në “Euro 2020” u shpërblye, pasi Sasuolo ka vendosur që të pranojë ofertën e fundit të Juventusit dhe mëngjesin e sotëm mesfushori zbarkoi në Torino, ku u realizua edhe kryerja e vizitave mjekësore.

Formula e afrimit të Lokatelit te Juventusi parashikon huazimin dyvjeçar me kosto prej 5 milionësh eurosh, të cilat do të derdhen me të firmosur lojtari, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet deri në vitin 2025.

Blerja do të bëhet e detyrueshme sapo Juvja të marrë pikën e parë në fazën e dytë të sezonit të ardhshëm të Serisë A, 2022- 2023.

Ndërkohë, për sa i përket futbollistit, akordi i tij financiar me bardhezinjtë ka qenë gjetur prej kohësh: 3 milionë euro neto në sezon, plus 1 milion bonus, për pesë vitet e ardhshme (skadenca 30 qershor 2026).