Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, nuk është i pasigurt vetëm për të ardhmen e tij shkaku i rezultateve, italiani ka po ashtu një destinacion të mundshëm për të cilin duhet të vendosë nëse do të shkojë apo jo.
Këtë javë, pozita e Ancelottit është përshkruar se po mbahet për ‘fije të perit’ pas humbjes së pësuar ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve. Sipas raportimeve nga Spanja fati i tij do të caktohet përfundimisht nga ajo se a do arrijnë ‘Los Blancos’ të përmbysin gjithçka apo jo.
Real Madridi po planifikon që ta emërojë Xabi Alonson në stol në vend të tij në rast se nuk arrin sukses në dy muajt e fundit të sezonit.Një detaj interesant është edhe afati kohor të cilin Brazili ia ka caktuar trajnerit italian.
E përditshmja katalanase Sport ka raportuar se Federata e Futbollit e Brazilit (CBF) i ka dhënë atij një datë përfundimtare në të cilën ai duhet t’i informojë ata për vendimin e tij: finalja e Ligës së Kampionëve.
Pa marrë parasysh nëse Real Madridi është pjesë e saj apo jo, CBF janë të etur për ta dëgjuar përgjigjen e tij më 31 maj, për t’u siguruar nëse ai mund të marrë drejtimin e tyre për kualifikimet e Amerikës së Jugut në qershor, ku Brazili do të përballet me Ekuadorin dhe Paraguain.
Vlen gjithashtu të theksohet se paga e ofruar do të ishte shumë herë më e madhe nga ajo që ai përfiton aktualisht tek Real Madridi.
Ancelotti së fundmi kishte thënë para gazetarëve se ai nuk është konaktuar nga Federata e Brazilit, por Sport ka shpjeguar se oferta e tyre është bërë përmes djalit të tij dhe asistentit, Davide Ancelotti./Telegrafi/