Finalja e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra ka qenë planifikuar prej kohësh nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit të luhet këtë mesjavë. Por në fakt, drejtuesit e Apolonisë, skuadrës tjetër që ka dalë në finale përveç Vllaznisë, kanë insistuar që finalja të mos luhej këtë javë por të shtyhej për në mars apo prill.

Një kërkesë nnë fakt kur vetë institucioni i futbollit shqiptar i ka patur datat të përcaktuara prej kohësh edhe për këtë kompeticion. Kuptohet që drejtuesit e Vllaznisë nuk kanë qenë dakord për ta shtyrë datën e zhvillimit të kësaj finaleje dhe për këtë arsye, pas shumë insistimesh është vendosur që ndeshja të luhet ditën e premte në orën 13.00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Vllaznia e ka fituar rregullisht edhe këtë trofe në pesë sezonet e fundit dhe do të synojë ta fitojë edhe sivjet, duke bërë pronë të veten këtë trofe për të gjashtën herë. Një bindje që ekziston në rradhët e drejtuesve por edhe futbollisteve të ekipit shkodran e kjo bazohet padiskutim tek elementet që ka në përbërje Vllaznia, puna e bërë në stërvitje dhe shumë gjëra të tjera.

Përballë saj do të jetë Apolonia, një skuadër e cila është munduar ta rivalizojë këto vitet e fundit, por pa arritur dot që të barazojë qoftë edhe një herë ndaj saj dhe jo më t’i marrë ndonjë trofe. Megjithatë gjithmonë thuhet se futbolli është futboll dhe mund të ketë të papritura.

Çka do të thotë se duhet të presim deri pasditen e së premtes për të mësuar se kush do të jetë fituesja e Kupës së Shqipërisë në futboll për femra, për edicionin 2018-2019.
© shkodrasport.com