U fol se nesër do të luhej një miqësore ndaj Kastriotit të Krujës, por nga klubi Vllaznia nuk e konfirmojnë këtë gjë. Të paktën për nesër ajo nuk do të zhvillohet, por ndoshta në fundjavë. Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ka patur bisedime me drejtuesit krutanë por ato kanë planifikuar një ndeshje tjetër për sot dhe për këtë arsye, nuk mund të luajnë dy herë brenda 24 orësh.
Për këtë arsye, futbollistët e Vllaznisë janë lajmëruar që nesër do të zhvillojnë seancën e rradhës stërvitore dhe pastaj do të mësojnë më shumë, nëse do të ketë miqësore apo jo në dy ditët e fundit të kësaj jave.
Në fakt, zhvillimi i saj duket i domosdoshëm sepse ekipi është “mbyllur” në kalçeto. Bora vazhdon të jetë prezente në të gjitha terrenet sportive të Shkodrës dhe kjo e bën të pamundur stërvitjen në ambjente të hapura.
Stafi teknik kuqeblu ka mbetur me shpresën e përmirësimit të kësaj situate por deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar për mirë. Për këtë arsye, një miqësore e luajtur do t’i shërbente shumë skuadrës por ende nuk është e sigurtë nëse do të zhvillohet apo jo.
Vllaznia deri më tani ka luajtur vetëm ndaj Laçit në Kamëz, ndeshje që u mbyll në barazim 0-0. Kjo me Kastriotin mund te jete e dyta qe mund te realizohet por deri me tani asgje nuk eshte e sigurte.
© shkodrasport.com