Ergis Mersini u vendos në qendër të kritikave nga ish-kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, i cili aktualisht luan për Laçin.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Shtubina deklaroi se Vllaznia ra nga Superliga për faj të ish-trajnerit Gjoka, ndërsa sipas tij, shkodranët humbën 5-6 ndeshje për faj të Mersinit.

Mbrojtësi i majtë, në një intervistë për “Vipsport.al” ka dhënë versionin e tij në këtë debat të hapur tashmë pas rënies së Vllaznisë nga Superliga.

– Duket se jeni lojtari i parë që po sulmoheni për dështimin e Vllaznisë…

– Nuk di nëse jam lojtari i parë apo i fundit që sulmohem. Nuk më intereson shumë se jam sulmuar nga një i paaftë, i cili s’ka luajtur kurrë futboll larg “fustanit” të Vllaznisë.

Ai “Messi” i Shkodrës ka dështuar kudo që ka shkelur për të luajtur. Vetëm në Shkodër mund të luajë se i jep vota bashkisë.

Lojtari që e do Vllazninë kaq shumë, vjet në ndeshjen e jetës së ekipit shkodran kundër Tiranës nuk luajti, jo për aftësi, por sepse ai nuk e do Vllazninë, sepse mori karton të kuq qëllimisht në Durrës, që të mos luante.

Iku dhe e la ekipin në baltë kur kishte nevojë. Unë nuk merrem me dështakë. Ka dy lloje njerëzish në këtë botë: ata që luftojnë, djerësijnë e fitojnë gjithçka me punë dhe ata që e fitojnë vendin e punës duke përbaltur djersën e tjetrit dhe duke futur mik e shokë për të luajtur.

Pse nuk pyesin Vioresin Sinanin, emblemën e klubit të Vllaznisë dhe njeri me integritet, që ka dhënë për Vllazninë dhe kupton nga futbolli, por pyesin të paaftë që duan të shkojnë prapë te Vllaznia duke përbaltur të tjerët?

-Mendoni se po gjendet faji te “jabanxhinjtë” më shumë se në aspektin më kolektiv?

-As unë e as “jabanxhijtë” e tjerë s’jemi fajtorët e vetëm. Jemi të gjithë fajtorë, të gjithë ne që ishim pjesë e ekipit këtë sezon. Futbolli është sport kolektiv dhe i përbërë nga kontributi i të gjithëve. Jo të gjithë e kuptojnë këtë dhe aq me pak të paaftët.

Kam respekt për të gjithë çunat që kanë luajtur për Vllazninë këtë vit, sepse janë njerëz që kanë djerësitur për ekipin dhe kanë marrë përgjegjësitë që i takojnë.

Ata janë shkodranë e me qytetari shkodrane, jo “Messi” i Vllaznisë që nuk ka luajtur asgjëkundi. Ai “Messi” nuk përfaqëson qytetarinë shkodrane. Nuk është shkodran, por një i paaftë që fshihet pas “fustaneve” për të kapur një kontratë.

– Ju personalisht, keni menduar për të ardhmen, do qëndroni te Vllaznia?

– Jo nuk do qëndroj, sepse kontrata ime mbaroi. Do vijoj diku tjetër. Vllaznisë i uroj suksese dhe vetëm të mira, sepse ka djem të mrekullueshëm si Tafili, Lika, Vucaj, Çinari, Kalaja, Pjeshka, Krymi, Gocaj e shumë të tjerë.

-Dy rrogat e fundit janë mbajtur nga klubi në formë gjobe, mesa është thënë në media…E vërtetë është? Nëse po, mendoni se kjo heq gjithë përgjegjësinë e klubit për rënien e Vllaznisë nga Superliga?

-Nuk e di këtë pjesën e gjobës, sepse nuk jam njoftuar nga klubi, por gjithsecili ka pjesën e vet të dështimit te Vllaznia./vipsport/