Armand Rada mbetet një lojtar i rëndësishëm në radhët e ekipit të të rinjve të Interit, si në kampionatin italian, ashtu edhe në ndeshjet europiane.

Rada ishte në fushën e lojës edhe dje në ndeshjen që skuadra e tij arriti ta mbyllte me kualifikim me penallti përballë ekipit të Spartakut të Moskës në UEFA Youth League, atë që cilësohet si Liga e Kampioneve për të rinjtë.

Mesfushori 19-vjeçar luan me ekipin e Stefano Vekit që prej vitit 2016, dhe ka zënë një vend fiks në formacion, ndërsa tani do të ketë mundësinë të shijojë pjesëmarrjen në çerekfinalet e këtij turneu elitar.

Në një intervistë për “VIP SPORT”, Rada tregon emocionet e kualifikimit dhe objektivat që ai dhe ekipi i tij ka këtë sezon.

Luajtët një ndeshje të rëndësishme dhe triumfuat në UEFA Youth League.

Cfarë emocionesh ndjeni teksa shijuat kualifikimin?

Kjo ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë ekipin.

U desh te kualifikoheshim nga penalltitë, kur mund ta përfundonim ndeshjen me parë.

Rëndësi ka që kaluam dhe në këtë mënyrë kemi mundësi të mësojmë nga gabimet.

Është një emocion i madh të fitosh në “San Siro” dhe tani mendojmë për turin tjetër.

Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes?

Trajneri në fund të ndeshjes na uroi, por nuk ishte plotësisht i lumtur sepse kemi bërë gabime që nuk i lejohen një ekipi si i yni.

Keni spikatur gjatë kësaj periudhë me Interin.

A keni pasur kontakte nga ekipe të tjera meqë ishte periudhë merkatoje?

Nuk e di çfarë të them. Unë nuk jam i interesuar në këto gjëra, sepse ndihem mirë këtu.

Kam gjetur hapësirën time në ekip dhe dua të shfrytëzoj këtë moment e të bëj maksimumin për këtë fanellë.

Pjesa tjetër nuk më intereson.

Çfarë objektivash personale i ke vënë vetes në këtë sezon?

Ne jemi një ekip i fortë, mund të arrijmë shumë sukses.

Tashmë kemi fituar një Superkupë, por nuk jemi të kënaqur me kaq.

Personalisht punoj shumë ditë pas dite dhe në këtë mënyrë shpërblehet mundi ynë.

Duke arritur objektivat e klubit, plotesohen edhe objektivat e mia. /vipsport.al/