Mesfushori Altin Kryeziu, me shumë mundësi, nuk do të jetë pjesë e Laçit sezonin e ardhshëm. Lojtari 22-vjeçar ka zhvilluar një kampionat mjaft të mirë me fanellën e kurbinasve, duke luajtur 33 ndeshje kampionatin e fundit, ku ka shënuar edhe një gol.

Kryeziu ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të Laçit, por tani duket se kosovari e sheh veten në një skuadër tjetër, ndoshta të një kampionati të huaj. Paraqitja e mirë me Laçin duket se e ka ndihmuar atë për të pasur oferta joshëse. Me to po merren menaxherët që e sollën në Shqipëri, pikërisht Silvio Pagliari dhe Benardin Kulla.

Më parë mesfushori i rritur në Itali ka luajtur në Belgjikë dhe në Slloveni, ku ka qenë pjesë edhe e Mariborit. Kurbinasit do të humbisnin në fakt një lojtar me vlera dhe për më tepër në një moshë të re.

Nga grupi i kampionatit të fundit mund të ketë edhe largime të tjera titullarësh, ndërsa braziliani Melo është i vetmi që ka rinovuar me klubin deri tani. Laçi qëndroi në Superiore, pasi fitoi ndeshjen shtesë me Flamurtarin.