Muaji qershor i këtij viti duket se do të mbetet gjatë në kujtesën e futbollistit 15 vjeçar Klevis Bebeziqi.
Pak ditë më parë ai u vlerësua si futbollisti më i mirë i kampionatit të kësaj grupmoshe për Zonën e Shkodrës në Ligën Amatore.
Ndërsa sot, ka patur nëj tjetër surprizë. Nga Federata Shqiptare e Futbollit ka mbërritur ftesa për grumbullimin e tij me kombëtaren U-17.
Trajneri Mustedanagiç mësohet të ketë hartuar listën e futbollistëve që do të ketë të gatshëm për grumbullimin e rradhës dhe në këtë listë bën pjesë edhe mesfushori i Akademisë Vllaznia Bebeziqi.
Ky është grumbullimi i parë i tij me këtë kombëtare dhe padyshim që është
vetëm fillimi i një karriere të shkëlqyer i këtij futbollisti me shumë të
ardhme.
Në këtë ftesë të ardhur sigurisht që meritën e ka vetë lojtari i cili ka bërë një paraqitje shumë të mirë gjatë gjithë sezonit, por pa diskutim që edhe ekipi.
Vllaznia U-15 nën drejtimin e Brikeno Bizit ka bërë një kampionat të shkëlqyer duke u shpallur kampion me një ecuri mbresëlënëse prej 23 fitoresh në po kaq ndeshje të luajtura.
Gjithsesi, tashmë Bebeziqi duhet të mendojë më ndryshe.
Të qënurit edhe pjesë e ekipeve kombëtare të moshave, ia shton edhe më shumë përgjegjësinë dhe normalisht që duhet të shtojë edhe punën.
Të dhënat teknike i ka shumë të mira. I duhet të perfeksionohet edhe më shumë në aspektet e tjera të lojës për të krijuar kësisoj fizionominë e një lojtari të kompletuar.
Përveç tij, në grumbullimin e rradhës të kombëtares U-17 është edhe një shkodran tjetër.
Bëhet fjalë për mbrojtësin e ekipit Shkodra Marçelino Preka, edhe ky një element shumë i spikatur në kampionatet e Ligës Amatore dhe madje e ka justifikuar shumë mirë edhe në grumbullimet e mëparshme me kombëtaren.
© shkodrasport.com