Mesfushori i Bajern Mynihut, dhe kombëtarës spanjolle, Tiago Alkantara, ka sulmuar përdorimin e VAR-it në futboll. 28-vjeçari këmbëngul se përdorimi i VAR-it do të thotë, se loja ka humbur një pjesë të esencës së saj dhe diçka shumë të rëndësishme:

“Unë jam krejtësisht kundër VAR-it. Mua më pëlqejnë gabimet, pa ato nuk do të kishim momente mitike që kanë ekzistuar gjatë gjithë futbollit. Mendoj se i jep pak më shumë drejtësi lojës, por në thelb ajo heq kuptimin e lojës.

Para se të festoni një gol ju duhet të shikoni arbitrin nëse e mban dorën tek veshi, për të kuptuar nëse goli është i rregullt apo jo. Futbolli ka humbur diçka shumë të rëndësishme.”, u shpreh mesfushori bavarez.

Alkantara u bashkua me kampionët e Gjermanisë nga Barcelona në vitin 2013, dhe është një nga lojtarët kyç të Bajernit dhe kombëtares spanjolle.