Kristian Panuçi mund të ketë shumë shpejt një alternativë më shumë në mesfushë, një lojtar i cili ka cilësi të ndryshme nga futbollistët që ka provuar në një vit e gjysmë në radhët e kuqezinjve. Astrit Ajdareviç, i cili u afrua e më pas u la jashtë ekipit kombëtar për shkak se nuk aktivizohej me AEK të Athinës, duket se është pranë firmës me një klub të ri ku mund të tregojë vlerat e tij duke luajtur rregullisht.
Ajdareviç u shkëput pak ditë më parë nga AEK dhe u kthye në Suedi, aty ku është formuar si futbollist profesionist. Lojtari ishte në bisedime me disa skuadra, por ajo që duket më afër tij është pikërisht Djurgardens. Skuadra e qyteti të Stokholmit duket e gatshme t’i ofrojë 28-vjeçarit një kontratë afatgjatë me besimin se do të ndihmojë të përmirësojë vendin e 7 që regjistroi në kampionat në edicionin që sapo u mbyll.
Drejtori sportiv i klubit suedez, Bo Anderson, është takuar me Ajdareviç në aeroportin e Stokholmit të enjten. “Po, jam takuar me Astritin”, konfirmoi drejtuesi. “Mendoj se të gjithë e dimë se çfarë lojtari është. Jemi takuar meqë është në Suedi dhe të shohim tani si do të rrjedhin ngjarjet në vijim”, theksoi ai duke konfirmuar se i ka bërë ofertën lojtarit për t’iu bashkuar klubit të tij.
Në të kaluarën, Ajdareviç ka veshur fanellën e klubeve të Helsingborg, Orebro, Norrkoping dhe Falkenbergs në kampionatin suedez. /vipsport/