Pushimet e fundvitit kanë marrë fund edhe për kampionatin e moshave në Itali, aty ku skuadrat sot janë rikthyer në fushën e blertë. Kështu, Interi ka arritur të fitojë me rezultatin 3-1 kundër të rinjve të Empolit, duke u ngjitur në vendin e tretë në klasifikim, por me 14 pikë më pak se Atalanta kryesuese.
Në kampin e Empolit, titullar e kishte nisur mesfushori 17-vjeçar Kristjan Asllani i cili ka arritur të shënojë edhe një gol për skuadrën e tij, por pa mundur të shmangë humbjen. Ndërkohë, në stol ka qenë edhe Aleksandro Arapi, teksa mungesa e Empolit për këtë takim ka qenë Kleis Bozhanaj, tjetër talent shqiptar.
Për Interin shënuan Ntube, Oristanio dhe Moreti në pjesën e parë, duke ia bërë mision të pamundur në pjesën e dytë kthimin e rezultatit. Empoli e sheh veten aktualisht në vendin e 14 me 17 pikë, 3 më shumë se zona që të hedh nga kategoria. /vipsport/