Humbja me Partizanin duhet të kalojë sa më shpejt dhe pa e bërë shumë dramë nga ana e ekipit bardhekuq. Të paktën ky është mendimi që kanë në Korçë lojtarët e Skënderbeut, të cilët do të kërkojnë të lënë pas këtë humbje dhe të përgatisin në mënyrën më të mirë të mundshme transfertën e së dielës në Shkodër.

I ndalur më pas te ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë në kampionat, mesfushori nigerian Mario Rabiu u shpreh: “Është një ndeshje e vështirë në një fushë që të lë të luash futboll të bukur.

Ndaj edhe për këtë mendoj se mund të bëjmë mirë. Kemi respekt për rivalin, pasi është një ekip cilësor dhe ka ambiciet e veta, por ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë më të mirë, me qëllim arritjen e objektivit që kemi për këtë ndeshje.

Kemi besimin se do të jetë një ndeshje e mirë për ne dhe mund të dalim me pikë nga Shkodra. Duhet të harrojmë atë që ndodhi në ndeshjen e fundit me Partizanin dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Nuk ka kohë për të humbur dhe për të qarë piket e lëna”, përfundoi Mario Rabiu.