Transferimi i Kristjan Asllanit nga Empoli te Inter, ishte padyshim lajmi i bujshëm i verës. Mesfushori i kombëtares shqiptare është në sytë e italianëve që kanë shfaqur interes për të. Vetëm 20-vjeç, por në fushë sillet si një lojtar që ka shumë vite eksperiencë.
Ish-sulmuesi i Sampdorias, Françesko Flaki ka folur pikërisht për fantazistin shqiptar. Ai e ka cilësuar si lëvizje të zgjuar nga ana e drejtuesve të Inter që kanë marrë në gjirin e tyre një futbollist si Asllani.
“Ky djalë ka cilësi të rëndësishme dhe e ka treguar menjëherë. Është i ri dhe ka një lloj vazhdimësie për tu admiruar.
Xhuzepe Marota ka parë saktë për të ardhmen dhe në funksion të Marcelo Brozoviçit, për të pasur një zëvendësues të denjë. Gjithsesi, që Asllani të japë dhe të përmirësojë rendimentin është e rëndësishme që të luajë, pasi vetëm duke shpenzuar minuta mund të rritesh”, ka thënë ai.