Mesfushori lezhjan Erisildo Smaçi po shkëlqen me ekipin e Dinamos. Ditën e sotme, ai ka shënuar një dopietë për dinamovitët në fitoren e këtij ekipi me rezultatin 4-2 në transfertë ndaj Orikut.
Me këtë dopietë, mesfushori lezhjan ka shënuar edhe dy golat e parë në 10-ndeshje me ekipin e Dinamos. Kujtojmë këtu se më parë, Smaçi ka qenë pjesë e Apolonisë, Laçit dhe Shënkollit, teksa tashmë po luan për ekipin e bluve të kryeqytetit të drejtuar nga trajneri Nevil Dede.
24-vjeçari konsiderohet si një element shumë i rëndësishëm tek Dinamo dhe si rrjedhojë janë edhe duke i besuar, por nga ana tjetër edhe vetë Smaçi po ua shpërblen këtë besim.
Në fakt, tek kryeqytetasit mesfushori nuk është i vetmi lezhjan, pasi aty ai luan së bashku edhe me futbollistë të tjerë siç janë Danaj, Fetaj, Përndreca, Preloshi dhe Aurel Marku, duke formuar një koloni lezhjane padyshim, pa harruar këtu edhe një faktor kryesor të funksionimit të hallkave të klubit aksionerin Kristian Gjidodaj.
Ndërkohë, me fitoren 2-4 ndaj Orikut, Dinamo kryeson momentalisht me 30-pikë, teksa në ndjekje të saj është Skënderbeu me 26-pikë. Javën e ardhshme, ekipi dinamovit do të luajë ndaj korçarëve në shtëpi në një përballje direkte rivalësh. /Maringlen ZHIVANI/
Oriku-Dinamo 2-4
Golat: Batista 45’+1, 59’ / Smaçi 19’, 45’, Silva 21’, 70’
Oriku (4-4-2): Muho, Pereira, Deliaj, Tahiraga, Carvalho, Deda, Dalanaj, Abara, Kasaj, Batista, Barbosa (u aktivizuan: Gjoka, Zholi, Merko,
Thioub, Malko) Tr: Arlind Rrustemi
Dinamo (4-2-3-1): Crosta, Fetaj, Zhivanaj, Imami, Allmuça, Daja, Preloshi, Silva, Smaçi, Prodani, T. Marku (u aktivizuan: Idakwo, Jaku, Mija, Rrapi, Danaj) Tr: Nevil Dede