Lionel Mesi e urren humbjen dhe sa herë pëson një disfatë në futboll mbyllet në shtëpi duke e kaluar në heshtje dhe duke menduar se ku gaboi ai vetë dhe skuadra e Barcelonës. Ose më saktë, diçka të tillë e bënte në kohën e shkuar, sepse tani në shtëpi gjen bashkëshorten dhe fëmijët e tij.

Nuk mundet kurrsesi të qëndrojë për shumë kohë i mërzitur, sepse buzëqeshjen ia sjellin djemtë. Por, Leo ka fituar aq shumë në jetë si me katalanasit ashtu edhe në aspektin personal, sa nuk ia vlen që të mërzitet për një humbje. Në një intervistë për revistën “World Soccer”, kapiteni i Barcelonës tregon se djali i madh, Tiago e detyron që të japë “llogari” dhe të shpjegojë gjithçka ndodh në një ndeshje dhe arsyet pse nuk ka fituar.

Si të mos mjaftojnë kritikat që merr ndonjëherë nga mediat dhe nga tifozët, duhet të durojë edhe ato të djalit. Ndoshta ato janë kritikat më të bukura. “U pëlqen shumë futbolli. Tiago merr vesh më shumë, sepse është më i madh dhe flet gjithmonë rreth futbollit. E shoh shumë të përfshirë në gjithçka që ndodh në këtë sport.

Madje kur humbas ndonjë ndeshje, ai më kritikon. E ndjek Barcelonën, ndjek kampionatin spanjoll dhe Champions-in. I ndjek të gjitha me pasion. I pëlqen dhe bën pyetje për të kuptuar arsyet pse unë apo Barcelona nuk kemi fituar. Madje ndonjëherë më vë nota kur gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet”, tregon kapiteni i Barcelonës.

KËPUCA E ARTË- Gara në Europë për “Këpucën e Artë” është bërë shumë e fortë, por Leo Mesi vazhdon të udhëheqë listën dhe të ecë i sigurt drejt një tjetër triumfi. Me 19 golat e shënuar në kampionatin spanjoll, “Pleshti” është i pari me 38 pikë dhe ndiqet nga Kilië Mbape me 36 pikë. Francezi ka shënuar 18 gola me PSG-në. Surpriza e kësaj liste është “veterani” i Serisë A, Fabio Kualjarela.

Ai ka arritur të shënojë 16 gola me fanellën e Sampdorias duke ndarë vendin me Mohamed Salah me nga 32 pikë. 36-vjeçari barazoi rekordin e Batustutës në kampionatin italian duke shënuar në 11 ndeshje radhazi dhe në sfidën e fundjavës do të kërkojë të hyjë në histori.

Kristiano Ronaldo ndodhet në vendin e 13-të në listën e përpiluar nga gazeta “MARCA” me 30 pikë të grumbulluara. Portugezi i shënoi në fundjavë Strakoshës nga penalltia. Do ta rivalizojë deri në fund Mesin, por duket se ky i fundit është i avantazhuar për të triumfuar edhe këtë herë.