Lionel Mesi ka realizuar ëndrrën e tij për të fituar Kupën e Botës dhe për shumëkënd ky mendohej se do të ishte momenti që do të vendoste kapakun në karrierën e tij me Argjentinën. Por duket se për vetë numrin 10 të Argjentinës, kjo kohë nuk ka ardhur ende dhe këtë e konfirmoi pas sfidës së sotme.

“E dija që Zoti do ma jepte këtë”, deklaroi kapiteni i Argjentinës teksa mbante në duar Kupën e Botës, teksa pak ditë para fillimit të aktivitetit kishte lënë të kuptohej se përveçse Botërori i fundit, mund të ishte edhe hera e fundit me “Albiceleste”.

“Natyrisht që dua të vazhdoj të luaj edhe disa ndeshje të tjera si kampion bote”, konfirmoi ai, duke bërë të qartë se ashtu si Kristiano Ronaldo, kjo Kupë Bote nuk ishte hera e fundit ku ai do të vishte fanellën e përfaqësueses.

Për momentin ai do t’i gëzohet sa më shumë këtij titulli që fitoi bashkë me skuadrën. “Të gjithë e duan këtë. Është ëndrra e vogël e kujtdo. Unë kam qenë me fat që kam marrë gjithçka në karrierën time dhe më mungonte kjo. Tani do ta çojmë trofeun në Argjentinë për ta shijuar me ju”, përfundoi Mesi.