U largua nga fusha i dëmtuar që në minutën e 20-të të ndeshjes ndaj Kukësit dhe do të mungojë të paktën edhe tre ndeshjet e ardhshme.

E kemi fjalën për brazilianin Victor da Silva. Ai ka pësuar një tërheqje muskulare në takimin e kaluar dhe ndërkohë tashmë ka bërë edhe ekzaminimet e duhura mjekësore, të cilat kanë nxjerrë edhe shkallën e dëmtimit.

Ka qenë fizioterapisti Ilirjan Haxhaja ai që ekskluzivisht për “Shkodra Sport” ka shpjeguar gjendjen e tij duke u shprehur kështu për gazetën tonë:

“Futbollisti Victor da Silva ka pësuar tërheqje muskulare ne ndeshjen e kaluar me Kukesin dhe nisur nga shkalla e demtimit, do t’i duhet një periudhë dyjavore për t’u rikuperuar”.

Në këtë mënyrë, lojtari brazilian është e sigurtë që do të humbasë ndeshjen me Bylisin, atë të mesjavës së ardhshme me Korabin për kupë dhe mbetet për t’u parë nëse do të jetë në fushë në ndeshjen tjetër për kampionat, atë ndaj Kastriotit.
Andi GJURGJEJ