Ka shifra që zakonisht kalojnë pa u vënë re, por që ilustrojnë shumë më tepër sesa të mbushin syrin. Jo shpesh ndodh, si në rastin e Leo Messit, që një numër tre shifror të mos mjaftojë për të matur dimensionin e tij si futbollist. Sonte, në fushën e Leganés, ylli argjentinas do të luajë ndeshjen e tij të 700-të me fanellën e Barçës, që nga debutimin e tij në ekipin e parë blaugrana.
Ky udhëtim mbresëlënës dhe unik ka nisur në nëntor të vitit 2003, me një miqësore në fushën e Portos, kur ishte trajner Frank Rijkaard. Është e pamundur për të kuptuar historinë e re të Barcelonës pa Messin, figura referuese e futbollit të shekullit të 21-të, me më së shumti tituj në historinë e klubit katalanas (33). Në moshën 31-vjeçare, “10” e Barcelonës vijon të mahnisë me atë që bën në fushën e lojës. Ai, jo vetëm nuk e ka braktisur frymëzimin si golashënues, por ka “inkorporuar” nuanca të reja në lojën e tij.
Evolucioni i lojës së tij
Messi e bëri të ditur këtë në intervistën që i dha “Radio Catalunya”: “Gjatë viteve të fundit jam përmirësuar në pasimin e fundit, në asistet për shokët e ekipit”. Dhe Leo Messi mbetet i pangopur në shënimin e golave dhe fitimin e trofeve, i vrullshëm dhe vertikal në lojën e tij. Nuk ndien lodhje, pavarësisht viteve që kalojnë. Ai do t’i luajë të gjitha ndeshjet.
Në trurin e tij janë “sistemuar” 699 lojëra. Dhe ka vend për mjaft të tjera, që mbeten. Kundër Girona, të dielën e kaluar, Messi arriti një tjetër rekord, nga ato të dhënat e heshtura, por të rëndësishme: ai u bë lojtari i huaj me më shumë ndeshje në historinë e La Liga-s (423), duke mposhtur mikun e tij, Dani Alves. Një tjetër brazilian, Donato, ka arritur shifrën e 466 ndeshjeve, edhe pse kishte marrë shtetësinë spanjolle dhe për këtë arsye shihet ndryshe nga Alves dhe Messi.
14 vite në “fluturim”
Më 16 tetor, Messi mbush 14 vite si lojtar i ekipit të parë të Barcelonës (debutoi kundër Espanyol), kohë në të cilën ka pasur kohë mundësinë për të thyer rekordet e pakapërcyeshme në dukje si golashënues. Argjentinasi arriti Di Stefano, Raul, Hugo Sánchez dhe Zarra, me 388 gola në elitën e futbollit spanjoll. Vetëm 12 “rrjeta” më pak për të arritur shifrën e 400 golave, një tjetër rekord, që meriton një analizë të kujdesshme dhe një “përmendore” nga futbolli spanjoll.
Natyrisht, nuk ka kufizime në ambicjen e një futbollisti si Messi, i cili ka arritur të ruajë performancën e klasit botëror për gati 15 vite, një rrethanë praktikisht e paprecedentë në historinë e futbollit. “Messi është Maradona çdo ditë”, – tha Jorge Valdano për patriotin e tij.
Kanë kaluar 5428 ditë që nga pagëzimi i tij si lojtar i ekipit të parë të Barçës dhe Leo nuk është lodhur së fituari. Rrugëtimi i tij mbërrin sonte në një “stacion” të veçantë, që është ndeshja e 700-të me Barcelonën, por të tjera rekorde presin të thyhen prej pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.