Ylli i Barcelonës, Lionel Messi ka folur për vendimin që e mori dy vite më parë kur u tërhoq nga Kombëtarja e Argjentinës.

Ai ka thënë se ishte plotësisht vendim i gabuar dhe jo i menduar mirë, pasi ajo gjë ka ndikuar edhe tek bashkëlojtarët e tij.

“Më vjen turp për atë vendim të ngutur që e bëra për t’u larguar nga kombëtarja”, ka thënë Messi.

“Së pari ishte një ndjenjë e keqe për të gjithë vendasit e mi, për bashkëlojtarët dhe për futbolldashësit, por unë jam penduar nga ai vendim i ngutur”.

“Ne kemi humbur tri finale të mëdha, e që në këtë Kupë të Botës, duam që së paku të shkojmë në çerekfinale, e pse edhe të mos e fitojmë”.

“Nuk dua që ta fitoj për veten time dhe të jem më i miri në histori, por ta fitoj për vendin tim, për shokët e skuadrës, për të gjithë ata që na ofruan mbështetje çdo herë”, ka thënë Messi më tej.

Ai tutje ka folur edhe për Real Madridin, duke e vlerësuar si një klub të veçantë.

“Real Madridi është i veçantë në Evropë, ata fitojnë edhe kur nuk luajnë mirë. Ne, nga ana tjetër, gjithmonë duhet të jemi të përsosur për të vulosur fitore”, tha ai.

“Më motivon t’i shoh ata kur fitojnë. Unë nuk konkurroj vetëm me Ronaldon. Dua të fitoj çdo vit, Championsin dhe La Ligan. Higuain? Ai është një lojtar i rëndësishëm për Argjentinën si Aguero dhe Otamendi “, ka përfunduar ylli argjentinas.