Një nga skenarët më të çmendur të futbollit modern mund të bëhet realitet këtë verë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në të njëjtën skuadër, me fanellën e Inter Miami.
Sipas asaj që raporton portali TeamTalk, klubi po shqyrton seriozisht mundësinë për të afruar yllin portugez për edicionin e parë të zgjeruar të Botërorit për Klube, që do të zhvillohet në SHBA në qershor 2025.
Rastësia e jashtëzakonshme është se Al Nassr, skuadra aktuale e Ronaldos, nuk është e kualifikuar për këtë turne. Nga Arabia Saudite, vendin e saj e ka zënë Al Hilal, që përfaqësohet nga emra si Milinkovic-Savic dhe Koulibaly.
Duke pasur parasysh se kontrata e CR7 me Al Nassr përfundon në qershor, një lëvizje e shkurtër drejt Inter Miami do t’i jepte atij mundësinë unike për të luajtur për herë të parë me Messin – rivalin e përjetshëm që ka ndarë një epokë të tërë futbolli.
Sipas burimeve, Inter Miami do të firmoste me Ronaldon vetëm për Botërorin e Klubeve, për ta liruar menjëherë pas përfundimit të turneut, duke mos përjashtuar një rikthim të tij te Al Nassr, me të cilën po zhvillohen ndërkohë bisedime për një zgjatje të kontratës së nënshkruar në janar 2023.
Kjo manovër e zgjuar do t’i lejonte Ronaldos të marrë pjesë në një turne prestigjioz, përpara se mosha ta pengojë – sepse në edicionin tjetër në 2029, ai do të ishte 44 vjeç, një sfidë e madhe për çdo atlet, sado i përgatitur.
Nëse kjo “bashkëjetesë” mes dy legjendave realizohet, tifozët e Real Madridit mund të mbeten të zhgënjyer. Sipas Marca, shumë prej tyre do të dëshironin një rikthim të përkohshëm të Ronaldos në “Santiago Bernabeu”, qoftë edhe vetëm për këtë turne, për t’i dhënë lamtumirën në mënyrën më të bukur.
Ndërsa futbolli pret të shohë nëse kjo ëndërr “fantakalçistike” do të marrë jetë, bota është në ankth për një skenë që deri dje dukej e pamundur: Messi dhe Ronaldo në të njëjtën anë të fushës.