Peceta me kontratën e parë të Leo Messit me Barcelonën është nxjerrë në ankand nga Bonhams për një çmim prej 762,000 stërlina(890,000 euro). Siç raportohet nga Marca, letra, e cila daton në dhjetor 2000, kur Messi ishte vetëm trembëdhjetë vjeç, përfaqëson angazhimin e një kontrate me Barcelonën dhe është nënshkruar me stilolaps blu nga Carles Rexach, në atë kohë drejtor sportiv i Blaugranave.

Peceta, e cila ishte në posedim të agjentit argjentinas Horacio Gaggioli, u ofrua për nëntë ditë në një ankand online nga shtëpia e ankandeve Bonhams, e cila e kishte ekspozuar muajt e fundit në Paris, Nju Jork dhe Londër. Kontrata e mëpasshme, me efekte juridike dhe ligjore, në titullin e Barcelonës, ishte fillimi i gjithçkaje, i aventurës së futbollit të një prej lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Ian Ehling, përgjegjësi i librave dhe dorëshkrimeve në Bonhams në Nju Jork, tha se peceta kishte tërhequr vëmendjen ndërkombëtare të shumë fansave që nga shpallja e ankandit dhe ishte një nga objektet “më interesante” që ka pasur ndonjëherë.

“Po, është vetëm një pecetë, por është peceta e famshme që filloi karrierën e Leo Messit. Ajo ndryshoi jetën e tij, të ardhmen e Barcelonës dhe ishte e rëndësishme në ofrimin e disa prej momenteve më të lavdishme të futbollit”.