Në renditjen e futbollistëve më të paguar të planetit nuk ka shumë surpriza, por askush nuk priste që mes dy lojtarëve që kanë diskutuar çdo trofe në dekadën e fundit, njëri të dublonte tjetrin në terma financiarë.

Lionel Messi është i vetëm në majën e klasifikimit të sportit më popullor në botë, por bie në sy se argjentinasi fiton thuajse dyfishin e Cristiano Ronaldos.

Futbollisti i Barcelonës paguhet 8.3 milionë euro në muaj, një shifër e çmendur që reduktohet nga taksat, por që mbetet gjithsesi mbresëlënëse. Në vendin e dytë, në listën e stiluar nga e përditshmja franceze “L’Equipe” është portugezi i Juventusit. Cristiano Ronaldo ndalet në 4.6 milionë euro në muaj, gjithmonë pa llogaritur taksat e shtetit italian.

Në shkallën më të ulët të një podiumi kaq të lakmuar është kampioni i botës me Francën, Antoine Griezmann. Sulmuesi i Atleticos së Madridit, që në këtë sezon nuk është në lartësinë që prisnin tifozët, paguhet 3.3 milionë euro në muaj, shumë e cila reduktohet nga tatimet spanjolle.

Griezmann lë jashtë podiumit brazilianin e Paris Saint-Germain, Neymar, ndërsa në listën e 10 më të paguarve nuk ka asnjë gjurmë të lojtarëve italianë.