Do të ishte mbyllja perfekte e karrierës, sikur të ishte shkruar. Mesut Ozil po kalon një moment të vështirë në Premier League, ku luan pak me Arsenalin, vetëm 20 minuta në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit.

Trajneri Emeri ka pranuar se e ka lënë jashtë për arsye taktike dhe drejtuesit e klubit po mendojnë ta huazojnë në janar në një ekip tjetër, për ta shitur në verë me qetësinë e duhur. Pavarësisht interesimit të disa klubeve të njohura europiane, Ozil mund të shkojë në Turqi, te Bashakshehiri, që mban vendin e parë në kampionat.

Duke i vendosur mirë pjesët e “puzzle”-it, transferimi i tij në Turqi nuk do të ishte i papritur. Bashakshehiri është skuadra e zemrës e presidentit Erdogan, i cili ka dashur të bëhej futbollist në rininë e tij. Në vitin 2014 ishte ai që bëri shkelmimin e topit në ndeshjen inauguruese të stadiumit të ri.

Goksel Gumusdag, presidenti i klubit, ka deklaruar për “Bild”: “Ozil është një futbollist me vlera të jashtëzakonshme. Shpresoj që një ditë rrugët tona të kryqëzohen në këtë klub. Nëse ai do të që të vijë tek ne, do të bëjmë gjithçka për ta marrë.” Momenti i krizës për Ozil ka nisur në maj, për shkak të fotos së famshme me Erdogan, që tërboi tifozët gjermanë dhe pas Botërorit mesfushori u tërhoq nga kombëtarja.

Dhe tani Ozil, për të kaluar vështirësitë, mund të kalojë te Bashakshehiri, ku Erdogan do ta priste me krahë hapur. Kjo do të ishte mbyllja perfekte për futbollistin turko-gjerman. /Vipsport/