Një rikthim i bujshëm në Superligë dhe që pritej prej shumë e shumë kohësh ishte ai i Dinamos këtë sezon. 18 herë kampionët e vendit nuk ishin pjesë e elitës së futbollit shqiptar prej 10 vitesh, ku lëngonin në kategoritë inferiore të kampionatit tonë. Prej 1 dekade, një nga skuadrat historike të Shqipërisë nuk konkurronte në nivelet më të larta.
Por në sezonin 2021-22, Superliga shikoi që blutë u rikthyen. Me një projekt ambicioz që në start, “nëndetësja” shpalli kandidaturën e vet për një vend në kupat e Europës, për të mos thënë që nën zë pretendonin edhe titullin kampion. Kjo patjetër duke parë merkaton ambicioze që zhvilluan blutë me emra si: Ibraimi, Imami, Demiri, Isaevski etj.
E gjithashtu edhe buxheti që kishin garantuar sponsorët e rinj të ekipit. Kjo e bëri teorikisht Dinamon një pretendente për zonat e larta të renditjes.
Fillimi i kampionatit ishte disi premtues për “nëndetësen”, por me kalimin e javëve duket se “nëndetësja” nuk arriti të dilte më në sipërfaqe. Blutë tashmë jo vetëm që janë larg kupave të Europës, por rrezikojnë edhe mbijetesën.
Skuadra madje ka ndërruar edhe trajnerin, pasi është larguar Bledi Shkëmbi dhe në krye të pankinës dinamovite është vendosur Bledar Devolli. Aktualisht Dinamo ndodhet në vendin e 8-të me 20 pikë. Vend ku duhet luajtur një ndeshje play out për të siguruar mbijetesën në Superligë.
Duket se metamorfoza e bluve ka qenë shumë e madhe nga fillimi i sezonit dhe nesër në Shkodër, ata mund të marrin një goditje edhe më të fortë në objektivat sezonalë në rast të një disfate.
Endri ÇINARI