Prej gati dy javësh ndodhet pranë familjes së tij në Shkup, aty ku po stërvitet në mënyrë individuale duke shpresuar në rikthimin sa më shpejt të normalitetit dhe bashkimit të tij në stërvitje me ekipin e Vllaznisë. E kemi fjalën për Mevlan Adili, mbrojtësin e kuqebluve i cili përmes SKYPE është lidhur në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa teksa ka folur fillimisht për situatën në Maqedoninë e Veriut.

“Falë Zotit, gjendja këtu në Maqedoninë e Veriut nuk është si në Itali apo disa vende të tjera. Këtu virusi nuk ka ndonjë përhapje të madhe dhe për rrjedhojë kjo na ka mundësuar të vijojmë normalisht daljen jashtë dhe të zhvillojmë edhe stërvitje individuale. Unë po stërvitem në një kodër që kam këtu afër shtëpisë dhe po mundohem të mbaj formën.

Sigurisht që jemi në pritje të lajmeve nga Shqipëria për normalizimin e situatës dhe të bashkimit me pjesën tjetër të ekipit për të vijuar normalisht stërvitjen me ekipin, por nga sa shoh, do të kalojë edhe një kohë e gjatë që gjithçka të rikthehet përsëri ashtu si duhet”= ka thënë fillimisht Adili.

Në një sondazh të pak ditëve më parë të “Shkodra Sport”, Adili vlerësohej nga tifozët shkodranë si blerja më e mirë e janarit për Vllazninë. I pyetur në lidhje me këtë vlerësim, mbrojtësi i kuqebluve do të shprehej:

“Kuptohet që është gjë e mirë kur të vlerësojnë tifozët por unë do të dëshiroja më mirë një vlerësim ashtu si duhet në fundin e sezonit, kur edhe të kemi arritur objektivat e klubit. Gjatë këtyre dy muajve e gjysëm që jam në Shkodër kam përshtypje vetëm pozitive. Në fillim dua t’i falenderoj të gjithë për pritjen shumë të mirë që më kanë bërë duke u ndjerë si në shtëpinë time.

Përshtypje kam shumë sepse luaj për Vllazninë, një skuadër me shumë histori dhe me shumë tifozë, ka kushte shumë të mira për të luajtur dhe ndoshta jo krej ashtu si duhet për t’u stërvitur, megjithatë besoj se në të ardhmen do të rregullohen”.

Ndërkohë, i pyetur nëse e sheh skuadrën të rrezikuar nga rënia prej kategorisë, shqiptari i Maqedonisë së Veriut do të shprehej: “Vllaznia nuk ka ekip për të rrezikuar. Kemi një grup lojtarësh shumë të mirë dhe punojmë me shumë seriozitet dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme të kemi më shumë fat dhe jo rastësisht e treguam edhe në dy ndeshjet e fundit ku morëm 4 pikë dhe madje mund të kishim marrë edhe 6 nëse do të ishim treguar pak më të kujdesshëm para portës në sfidën ndaj Kukësit.

Besoj se Vllaznia ka për t’u ngjitur më lart në renditje, duke shpresuar që edhe kjo pauzë të mos ndikojë për keq. Jam i mendimit se do të ngjitemi më lart dhe të mos harrojmë që kemi pretendimet tona edhe në kupë ku kemi një shans shumë të mirë për të dalë në Europë”.
© shkodrasport.com