Mevlan Adili, mbrojtësi i Vllaznisë ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Partizanin. Nesër në 16:00, dy skuadrat përballen për javën e 26 të Superligës. Shqiptaro-maqedonasi nuk e sheh vendimtare nesër me Partizanin, ndërsa ka një mesazh për trajnerin e Laçit për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.

“E dimë se Partizani është ndër ekipet më të mira, është ekipi me lojtarë shumë të mirë. Kanë karakter, ne të fokuesohemi në lojën tonë dhe të marrim pikë.

Sulmi – Kanë sulmin më të mirë, por mos harroni se ne kemi mbrojtjen më të mirë. Në repartin e mbrojtjes ka pasur ndryshime, por janë të mirëseardhura, teksa lojtarët kanë treguar veten dhe nuk kemi pasur probleme. Në repartet e tjera na kanë ndikuar mungesat.

Vendimtare – Nuk është vendimtare nesër, janë edhe 10 sfida dhe çdo skuadër ka treguar se mund këdo. Nuk mendoj se Vllaznia kishte momente të këqija, sepse kur nuk fitonim sërish nuk humbnim. Nuk fituam për 7 ndeshje, por jemi sërish në të parën. Të gjitha skuadrat thonë se do mbërrijmë Vllazninë, por jo ta kalojmë.

Kupa me Laçin – Nuk kishim dëshirë për kundërshtarët. Objektivi është finalja dhe ngritja e Kupës do ishte gjë e mirë. Më pëlqeu fakti se trajneri i Laçit tha se jemi për trofe dhe t’I tregojmë se nuk e kishte gabim. Nesër me Partizanin nuk na duhet humbja, janë në lojë dy rezultate”, tha Adili./newsport/