Laçi ka fituar ndaj Kamzës në transfertë me rezultatin 1-2, duke iu afruar më tepër objektivit të Europës, në një ndeshje që pritej me mjaft interes në Kategorinë Superiore.
Kjo për vetë faktin se një fitore e Kamzës në këtë takim, do të konfirmonte rënien e Vllaznisë nga elita e futbollit shqiptar.
Në një intervistë për “Supersport”, trajneri i Laçit, Mezani është shprehur se ekipi i tij ka luajtur për veten dhe objektivat e tij.
“Goli në fillimin e takimit na vendosi në qetësi. Moskuptimi i dy qendër mbrojtsave dhe një neglizhim i futbollistëve të mi, ndikoi në realizimin e kundërshtarit.
Megjithatë jam i kënaqur pasi skuadra reagoi menjëherë.Objektivi ynë është vendi i 4 dhe tashmë shpresojmë që t’ia arrijmë qëllimit.
Ne kemi luajtur për veten tonë dhë për objektivin që i kemi vendosur vetvetes. Tashmë na ka mbetur edhe një ndeshje në Laç dhe shpresoj realisht që të ia arrijmë qëllimit.
Shtubinës nuk i ka ardhur mirë për gjendjen e Vllaznisë dhe ka lotuar në takimin e shkuar, por ne jemi përgatitur gjithmonë vetëm për ekipin tonë, ndërsa pjesa tjetër i përket Shtubinës.
Ndoshta nuk jemi ajo skuadër e dy fazave të para, pasi lodhja po bën pjesën e saj”, është shprehur Mezani. /vipsport.al/